TIRANË– Pas 5 ngarkesave me banane ku u kap edhe kokainë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar kompaninë Alba Exotic Fruit. SPAK ka nisur edhe hetim pasuror ndaj kompanisë e cila ka aksioner kryesorë Eduart Dauti dhe vëllanë e tij, Barjon Gumeni tashmë të arrestuar.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për procedimin penal nr.207/2021, regjistruar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet e këtij procedimi penal lidhen me faktet e konstatuara të kapjes në disa raste të sasive të kokainës në ngarkesat e importuara në Portin e Durrësit nga subjekti juridik “Alba Exotic Fruit”.
Në kuadër të këtyre hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive të subjektit “Alba Exotic Fruit”, bazuar në parashikimet e nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, bazuar në parashikimet e ligjit nr.9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Sasia më e fundit e kokainës kapur në kontenierët ku kjo kompani kishte marrë banane nga Ekuadori ishte më 12 tetor 2021 në vazhdim të operacionit “Rada“. Pronari kësaj kompanie Eduart Dauti është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar.
Ajo që mbeti një mister ishte fakti se si prej korrikut kur u kap sasia e parë kjo kompani nga SPAK ishte ende aktive. Në 5 rastet e vitit 2021 në konteinierët ku ishin bananet Policia e Shtetit dhe SPAK sekuestroi afro 50 kg kokainë.
Më herët, ishte avokati i kësaj kompanie, Baftjar Rusi që kërkoi nëpërmjet një memo ndihmën e SPAK dhe ambasadës së SHBA-së për të gjetur trafikantët e vërtet të drogës. Pasi sipas tij, kompania Alba Exotic Fruit s‘kishte asnjë lidhje me kokainën dhe ishin grupet kriminale dhe konkurrentët e bananeve ata që drejtonin këtë trafik.