Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur këtë mbrëmje në rrugën e Koplikut. Mësohet se viktimë ka mbetur efektivi i policisë Jakup Reka i cili u përplas nga një makinë sapo zbriti nga automjeti i tij.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se efektivi i policisë Jakup Reka po shkonte drejt një vendngjarje. Policia njofton se ka shoqëruar në komisariat shoferin e automjetit me inicialet E.Z., i cili aksidentoi efektivin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Njoftimi i Policisë
Më datë 24.12.2021, rreth orës 19:15, në rrugën e Koplikut në kryqëzimin e rrugës Grizhe, mjeti tip benz me drejtues shtetasin E. Z., 32 vjeç, ka aksidentuar oficerin e Policisë J. R., 55 vjeç, i cili ishte duke shkuar në një vendngjarje dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit shtetasi E. Z. është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.