Katër persona e kanë humbur jetën kur një avion i vogël u rrëzua në një lagje të El Cajon pranë San Diegos në shtetin e Kalifornisë të SHBA-së, konfirmuan të martën autoritetet.
“Avioni u rrëzua të martën rreth orës 19:00 sipas kohës lokale”, tha në një deklaratë Departamenti i Sherifit të Qarkut San Diego.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit, avioni u ngrit nga aeroporti “John Wayne” në Santa Ana me një ekuipazh prej dy anëtarësh dhe dy pasagjerësh në bord.
Ai ishte planifikuar të ulej në fushën Gillespie në El Cajon. Departamenti i Sherifit të Qarkut San Diego tha se zjarrfikësit nuk ishin në gjendje të gjenin asnjë të mbijetuar në vendngjarje.
“Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë të prekur nga rrëzimi i avionit”, tha ai.