Eksplozivi që shpërtheu në Unazë më 7 janar në një makinë Mazda i orientoi hetuesit të zbulojnë vdekjen misterioze të 27-vjeçarit Erion Rexhepi në Cërrik më 30 dhjetor. Burime nga organi i akuzës thonë se të dyja episodet kishin në shënjestër vrasjen e biznesmenit vlonjat Mikel Harizaj.
Ai mbeti i plagosur nga shpërthimi i tritolit në makinën Mazda ku vetë ai ishte shofer ndërsa pasagjeri, që gjithashtu mbeti i plagosur ishte kamerieri i lokalit të tij Serin Duni, të cilin po e çonte në shtëpi në ornë 02:00 të mëngjesit.
Hetuesit zbuluan se e njëjta makinë Mazda ngjyrë blu, më 30 janar 2021 kishte kaluar në lagjen “Kantier” në Cërrik, dhe vetëm pas 2 minutash një 27-vjeçar u raportua i vdekur nga shpërthimi në dorë i një lënde plasëse. Hetuesit dyshojnë se atentatorët kishin vënë tritol në makinë, për të vrarë Mikel Harizajn, por atë ditë makinën e ka përdorur vjehrri i tij.
Burimet thonë se pikërisht në Cërrik kur makina ka ulur shpejtësinë, ka rënë prej saj lënda plasëse që nga kureshtja e mori në duar fatkeqit Erion Rexhepi, anëtar i komunitetit rome. Vjehrri i Mikel Harizajt ka vijuar udhëtimin i qetë në drejtim të Tiranës, pa e kuptuar se në automjet kishte pasur të vendosur eksploziv.
Vetëm 1 javë pas dështimit të këtij atentati, autorët tentuan të vrasin Harizajn duke i vënë tritol në të njëjtën makinë që ishte në pronësi të vjehrrit të tij. Atentatorët kanë pritur momentin që në timon të ishte vetë biznesmeni vlonjat, pa menduar për personat që mund të ishin pasagjerë, si kamerieri Duni, gjithashtu viktimë fatkeqe e një atentati të mirëorganizuar.