Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi, Agron Shehaj do të jenë ata që do të sfidojnë Lulzim Bashën në garën për kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 13 qershorit.
4 kandidatët janë miratuar unanimisht nga Kryesia e Partisë Demokratike për të hyrë në garë. 2 prej tyre janë kritikë të Bashës, pasi e akuzojnë si përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Ibsen Elezin nga Grupimi ‘Për PD’ nuk i kaloi filtrat e kryesisë së PD dhe kriteret e komisioni zgjedhor. Nga gara u skualifikuan edhe Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha, Mirjan Jashanllari, për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret e vendosura. Gjatë mbledhjes së Kryesisë pati dhe debate, por ajo që ra në sy ishte mosprania e Lulzim Bashës i cili kishte shprehur se nuk do të donte të ndërhynte në vendimmarrje.
Gazetarja e Report Tv Daniela Maloku raporton se edhe ish-diplomati Mujo Buçpapaj e kishte dorëzuar kandidaturën, por ai është dorëhequr për arsye personale. Kandidatë që kanë marrë miratimin e kryesisë kanë përmbushur disa kushte mes të cilave edhe kontributi i dhënë në fushatë. Ata që vijojnë garën, kanë kohë 12 ditë për fushatë me strukturat, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 13 Qershor. Fushata zgjedhore fillon më datë 24 Maj 2021 dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
Ndërkohë kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, nga selia blu, i bëri thirrje më herët Bashës që të përballen së bashku në një debat publik. Një ditë më parë, shpalli kandidaturën Agron Shehaj, një emër i përfolur më parë, por që nuk kishte shfaqur në asnjë moment ambicien për të qenë pjesë e kësaj gare. Lulzim Basha kërkon të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike, edhe pse shumë nga demokratët janë zhgënjyer me humbjet e njëpasnjëshme të tij qoftë në betejat polikë qoftë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, e ka cilësuar dje garën si asimetrike, por ka garantuar se do të sfidojë kryetarin Basha me vlerat. Në të njëjtën linjë ishte edhe prononcimi i ish-ministres së Jashtme Edith Harxhi. Ajo tha se gara nuk është e mbështetur në rregulla, teksa premtoi reformimin e Partisë Demokratike mbi vlerat e vitit 1990.
Ndërkohë që përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryesisë së kësaj partie, grupi “Për PD”, kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin në PD, e cila u vendos më 13 qershor në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike./ shqiptarja.com