TIRANË- 4 vite më parë, kur Kuvendi i Shqipërisë sapo e kishte zgjedhur Ilir Metën president, Ben Blushi, deputet asokohe shpalosi në Kuvend, një bluzë e cila kishte një simbol.
Nga foltorja e Kuvendit, atje ku sot, një e nga një, të gjithë po deklarojnë se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën e duhet shkarkuar, deputeti Ben Blushi, shpalosi një bluzë me shënimin “Don’t like republic”.
Blushi e quajti republikën si “Republika e Likes” dhe theksoi se kjo nuk është ajo që duan shqiptarët dhe këtë republikë duhet ta rrëzojnë me votë gjithë ata që mendojnë për të ardhmen e vendit.
“Në fakt besoj se kjo që po ndodh i demotivon të rinjtë e Shqipërisë dhe u thotë ‘ikni se do u bëj zbor’. Njëri më dha një bluzë dhe unë do e shpalos sot para jush…më tha çoje në Parlament, sepse kjo është republika për fat të keq “S’na pëlqen kjo republikë”. Kjo bluzë ka dy kuptime, s’na pëlqen kjo republikë dhe Republika e Likes. E dini se çfarë është Republika e Likes, ajo që ligji mund të shkelet çdo ditë. Kjo Republikë nuk na pëlqen, nuk u pëlqen asnjë prej shqiptarëve, atyre që deportohen nga varfëria, e që nuk paguhen aq sa duhet. Nuk na pëlqen,”-tha Blushi në 2017, atëherë kur Meta ishte “njeriu i stabilitetit”.
Sot, e kundërta kërkohet të provohet nga shumica socialiste që voton shkarkimin.