TIRANË/ Sot në orën 09:30 pritet të nisë Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilit do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Liderët e Ballkanit Perëndimor do të bëhen bashkë në Pallatin e Brigadave.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç, kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Bosnjë & Hercegovinës Zoran Tegeltija dhe ai i Malit të Zi, Zdravko Krivokapić do të jenë sot në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, dy javë para vendimit të Këshillit Europian për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Fillimisht Rama do të presë kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, më pas Komisionerin Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Në Samit do të jenë dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu si dhe drejtori i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic.
Ky Samit vjen pas turit të vizitave të Ramës në Hungari dhe Bullgari, ku tema që iu vu theksi ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Në orën 12;30, kryeministri Rama do të mbajë një konferencë për shtyp me Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi. Ndërsa në orën 15:00, do të bëhet firmosja e marrëveshjeve.