Redjan Hadëri, 33 vjeç, banues në Tepelenë është vënë në pranga pasi akuzohet për plagosjen e biznesmenit dhe pronarit të “Orange Club” në Sarandë, Spiro Iljadhi dhe të një turisti.
Prangosja e Hadërit është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm, një ditë pasi ka ndodhur ngjarja. Vetë Hadëri ka pranuar krimin para policisë dhe është shprehur se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Hadëri rezulton të jetë një person me precedentë penalë pasi është arrestuar edhe më herët për “plagosje të lehtë me dashje”. Për plagosjen e Iljadhit, ngjarje gjatë të cilës mori një plumb edhe kalimtari, Marin Jani, vijojnë të mbeten në kërkim dy vëllezërit Andrea dhe Visi Çaushi.
Si ndodhi ngjarja?
Redjan Hadëri, Andrea dhe Visi Çaushi kishin shkuar të shtunën në mbrëmje në Sarandë, për të festuar në ambientet e klubit “Orange”, që për habi, edhe pse klubet e natës nuk lejohet të rrinë hapur, aktiviteti ka vijuar deri në 03:50. Pikërisht në këtë orë djemtë kanë qëlluar me armë zjarri me Spiro Iljadhin, me 20 plumba automatiku. I plagosur mbeti edhe kalimtari Marin Jani. Të dy ndodhen në spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.