Kishin ardhur për pushime në Shqipëri, por kjo e diel ka rezultuar tragjike për dy pushues nga Maqedonia e Veriut dhe një tjetër nga Kosova. Në plazhin e Spillesë në Kavajë dallgët i morën jetën dy pushuesve nga Maqedonia e Veriut, të identifikuar si Cvetko Mitanovsi 78 vjeç dhe Mirko Miçevski 79 vjeç. Të moshuarit, ndonëse nuk dinin not, u futën në det për t’u larë, por për shkak të detit të trazuar, nuk mundën të dilnin dot në breg.
Ndonëse në shumë plazhe në vend është problem mungesa e rojeve bregdetare, kjo nuk është një problematikë në plazhin e Spillesë. Në vijën bregdetare të Spillesë janë 35 vrojtues plazhi. Në rastin fatal të dy pushuesve nga Maqedonia, rojet bregdetare nuk kanë mundur t’i shohin teksa ‘luftonin’ për të mos u mbytur, për shkak të dallgëve shumë të larta. Viktima u dërguan në morgun e Tiranës, ku edhe do tërhiqen nga familjarët e tyre.
Ndërkohë, më herët, një pushues nga Kosova humbi jetën në plazhin e Velipojës. 59-vjeçari Hasan Hysenaj u fut në det për t’u larë, por nuk doli i gjallë nga uji. Nuk dihet nëse ai ka pësuar ndonjë komplikacion shëndetësor teksa ishte në ujë, apo nëse është mbytur për shkak të detit të trazuar. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.