Një aksident i rëndë me dy viktima është regjistruar mesditën e kësaj të diele në Marinëz të Fierit. Viktimat nuk janë identifikuar ende, ndërsa dyshohet se drejtuesi i automjetit pësoi atak kardiak, gjë që shkaktoi edhe aksidentin tragjik.
Automjeti me të cilin ata udhëtonin, tip “Nisan”, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal të thellë, të mbushur me ujë, ndërsa dyshohet se dy personat janë mbytur.
Dyshohet se viktimat janë roje të një subjekti privat në zonë. Për nxjerrjen e automjetit nga kanali u desh ndërhyrja me vinç, ndërsa trupat e viktimave u dërguan në morg.
Për momentin nuk bëhen me dije të tjera detaje për ngjarjen, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Ky aksident në Fier e ka bërë edhe më tragjik bilancin e viktimave këtë të diel në vend, ku vetëm disa minuta më parë 3 persona humbën jetën pasi u mbytën në det. Dy pushues nga Maqedonia e Veriut u mbytën në plazhin e Spillesë, për shkak të dallgëve, ndërsa në Velipojë ndërroi jetë një 59-vjeçar nga Kosova.