LUSHNJE-Vijojnë të dalin të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Lushnje, ku u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij, 34-vjeçari Bledar Muça. Bëhet me dije se Muça ka qenë duke pirë kafe me kunatin e tij, Judin Velo, në hyrje të lokalit të tij Bar ‘Pedonale’ kur u ekzekutua. Ndërsa kunati mbeti i plagosur nga sulmi.
Po ashtu plumbat kapën edhe Ervis Tafën, Sara Liçin, 24 vjeç, Eksara Saulin 26 vjeç dhe Majlinda Gjylin 66 vjeçe, të cilët fatmirësish ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autorët dyshohet se kanë qenë 2, ku njëri ka zbritur nga makina tip Golf me ngjyrë të zezë dhe ka qëlluar të paktën rreth 20 herë me breshëri kallashnikovi drejt lokalit ku ishte ulur shënjestra. Plumbat dyshohet se i kanë kapur rastësisht 5 të plagosurit. E gjithë kjo skenë ka ndodhur ndërsa lokali ka qenë i mbushur me njerëz, përfshirë gra, të cilët janë tmerruar teksa po konsumonin kafe.
Pas atentatit në mjetin tip “Golf 5” që u gjet i djegur nga autorët poshtë urës së Rrogozhinës ishte me targa italiane dhe brenda saj ka qenë edhe një kallashnikov, që mendohet se është arma me të cilën u ekzekutua Bledar Muça dhe u plagosën 5 persona të tjerë. Atentatorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar.
Muça ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, Suada Velo, i njohur si ‘mustaqekuqi’ i bandës ‘Hakmarrje për drejtësi’. Po ashtu, një prej të plagosurve, Judin Velo, është kunati i viktimës dhe nipi i Shytit. “Hakmarrja për Drejtësi” cilësohej si organizata kriminale më e madhe në vend në vitet 1992-1996 dhe anëtarët e saj kanë qënë autorë të disa ngjarjeve të bujshme.
Nuk ka ende informacione nëse viktima ka qenë person problematik apo i përfshirë në ngjarje kriminale më parë, ndërsa policia vijon punën për identifikimin e autorëve.