Mal i Zi– Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në Cetinjë të Malit të Zi me helikopter dhe i rrethuar nga forca të shumta sigurie, Mitropoliti Joanikije i cili pritet të emërohet në krye të kishës serbe. Ai është pritur me duartrokitje nga të pranishmit. Ndërkohë policia e Malit të Zi filloi një aksion herët në mëngjes për të ndalur një protestë në Cetinje kundër kurorëzimit të tij duke goditur një grup protestuesish me gaz lotsjellës në sheshin qendror të kryeqytetit malazez.
Aksioni policor filloi në orën 6 të mëngjesit dhe mediat në Podgoricë raportojnë se policia përdori gaz lotsjellës dhe bomba goditëse për të shpërndarë një grup prej disa qindra protestuesish të cilët filluan të mblidheshin në sheshin qendror në agim. Ndërkohë që Këshilltari i Presidentit të Malit të Zi, Veselin Veljoviç, u arrestua pak më parë në Cetinje pas përplasjeve që pati me policinë vendase. Kjo u konfirmua nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazovic.
Ceremonia është parashikuar të mbahet në Cetinje të Malit të Zi, mirëpo ka pasur kundërshtime nga shumë qytetarë malazez përfshirë dhe drejtuesit më të lartë politik. Qindra policë ishin vendosur në kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi rreth manastirit ku pritet të bëhet inagurimi, pikërisht për të shmangur incidentet. Pikërisht në fillim të rrugës që të çon për në manastir, qytetarët e Podgoricës kanë grumbulluar goma dhe kanë nxjerrë gratë në rreshtin e parë të turmës.
Në tubim morën pjesë gjithashtu kryeministri Zdravko Krivokapic, ministrat Milojko Spajic, Jakov Milatovic, Mladen Bojanic, Ratko Mitrovic, Aleksandar Stijovic dhe përfaqësues të Frontit Demokratik Andrija Mandic , Milan Knezevic, Slaven Radunovic, Strahinja Bulajic, udhëheqësi Prava Marko Milacic. Vetë Presidenti Milo Gjukanoviç ka qenë prezent në protest dhe ka paralajmëruar se do të dalë edhe sot nëse planet e Kishës nuk ndryshojnë. Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”.