Si sot pesë vite më parë, më 5 shtator 2016 nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore.
Nënë Tereza, sot e Shenjta Terezë, gruaja bujare që përkul mbi persona e braktisur nëpër rrugë duke u njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.
Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu bashkua reagimeve me rastin e kësaj dite të shënuar, duke publikuar një video me thëniet e çmuara të Nënë Terezës, përmes zërit të aktores së mirënjohur, Margarita Xhepa.
MESAZHI I RAMËS
MIRËMËNGJES 😊 Dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë🙏