LUSHNJË- Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Lushnje, ku vëllai ka qëlluar me kallashnikov ndaj vëllait të tij.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrëz të Vogël, ku Faik Veliu, 65 vjeç, është qëlluar me tre plumba nga vëllai i tij Sami Veliu, i cili është arrestuar nga policia pak orë pas ngjarjes.
Faik Veliu ka qenë duke i shërbyer bagëtive dhe kur ka dalë nga dera e kasolles, vëllai i tij Sami Veliu e ka qëlluar më armë zjarri kallashnikov. 65-vjeçari ka marrë tre plumba, një në gjoks e dy në bark. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive pronësie, dhe autori u arrestua në një banesë të braktisur, ku ju sekuestrua edhe arma e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.
I plagosuri është dërguar nga familjarët në spitalin e Lushnjës, ku ka marrë ndihëm e parë dhe më pas është nisur më urgjencë drejt spitalit të Traumës në gjendje të rëndë. Banorët e fshatit shprehen se nuk dinë që të kenë pasur konflikte, ndërkohë që i kanë dhënë ndihmën e parë për të plagosurit.
‘Tre krisma dëgjova. Gratë ulërinin, atë po e nxirrte i vëllai tjetër dhe i nipi. Shkova e ndihmova, ishte plagosur një në zemër dhe dy poshtë. E ndihmova me nipin e tij.’- tha një fqinj.