POGRADEC- Teksa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shkarkimit të presidentit, për të cilin është votuar në Kuvend, Ilir Meta ka folur nga Pogradeci në lidhje me këtë, aty ku ka marrë pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”. Presidenti Ilir Meta thotë se nuk egziston asnjë çështje në Komsionin e Venecias për të, por është një çështje politike dhe se nuk është i shqetësuar. Meta tha se është krenar për gjithë veprimtarinë e tij për mbrojtjen e Kushtetutës.
‘Nuk egziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Nuk jam i shqetësuar, jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e kushtetutës. E cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, për të pasur sot një situatë aspak të dëshirueshme. Negociatat tashmë duhet të ishin hapur, në rast se do dëgjohej presidenti mbi zgjidhet vendore apo gjykatën kushtetuese. Presim një vendim të gjykatës kushtetuese për zgjedhjet vendore, në pikpamjen e time është një çështje e qartë.’- tha Meta.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me ‘Foltoren’ e Sali Berishës, Meta nuk pranoi që të komentojë, por shtoi se duhen debate në funksion të demokracisë.
‘Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese. Siç e keni kuptuar demokracia në këto 3 dekada ka uljet e ngritje e saj edhe brenda grupimeve politike.’- tha Meta.
Sakaq sa i përket një bashkëpunim mes Ramës dhe Bashës, Meta tha se ato mjafton që të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokracisë.
‘Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre debateve, ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokratike.’- u shpreh Meta.
Teksa u pyet në lidhje me dobësimin e opozitës në vend, Presidenti Meta tha se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë një skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që sipas tij luhet prej vitesh.
‘Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që luhet prej vitesh. Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinetit tonë. Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.’- tha Meta.
Sa i takon vendimit të SPAK për t’i kaluar çështjen e patronazhistëve Prokurorisë së Tiranës, presidenti Ilir Meta tha se ai i qëndron vlerësimeve të Transparency International dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.
‘I qëndroj vlerësimeve të Transparency International dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.’- tha Meta.
Në fund të fjalës së tij Meta tha: Lutem për burimin e gjithë forcës për të cilën ka nevojë çdo njeri e grupim apo shoqëri për të kaluar me sukses vështirësitë dhe bashkëjetesën shoqërore.
Gjykata Kushtetuese nuk ka caktuar ende një datë për nisjen e shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Më 9 qershor të këtij viti, Parlamenti shkarkoi nga detyra presidentin Ilir Meta për shkeljen e 20 neneve të Kushtetutës, provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nxitje dhune dhe urrejtje, njëanshmëri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 etj.