Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me rritjen e çmimeve dhe krizën energjetike. Rama tha se Shqipëria nuk prodhon energjinë që i duhet dhe detyrohet që t’a importojë. Sipas Ramës, importi ndodh në kohë thatësirë e për pasojë edhe çmimi është më i lartë se çmimi me të cilin e shesim, pasi e shesim në kohë kur ka reshje me tepri.
‘Sot fle më pak se çdo qytetar sepse ndjej shqetësimet e qytetareve dhe do të bëjmë gjithçka, kjo është shtëpia e përbashkët, kemi mundësi jo të pakufizuara dhe nuk mund ti bëjmë hesapet ndryshe nga shtëpia e vogël e çdo qytetari. Nuk mundet dot që për shtëpinë e madhe t’i bëjmë hesapet ndryshe. Të ardhurat dhe të mirat nuk vijnë nga qielli vijnë nga puna. Është mirë të dëgjojmë njëri tjetrin. E kam të pamundur të vrap bashkë me vrapin që ka marrë çmimi i energjisë. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet. Shet energji pasi në momentin kur ka reshje me tepri ka dy rrugë ose ta shesë ose ta derdhë prurjen e reshjeve. Kur është mot reshjesh çmimi është më i ulët. E shet në një kohë kur kërkesa nuk është e lartë. Shqipëria e blen energjinë kur ka thatësirë dhe e blen më shtrenjtë sepse kërkesa është më e lartë. Nuk i vendos qeveria çmimet. Jemi këtu për të ngritur një digë mes furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar dhe shtëpive të shqiptarëve. Meqë rritet çmimet rrisni rrogat. Nuk funksionon kështu. Nuk rriten se s’dua unë. Nuk ekziston një kryeministër që nuk do të rrisë rrogat. Rrogat rriten sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike. Kapacitete ekonomike rrisin zinxhirin e vlerës.’- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar 7 pikat e propozuar nga Basha për krizën energjetike si propozime të kohës së Sudes dhe firmave piramidale, ku kërkojnë që të zerojnë arkën e shtetit.
“Shteti i nxjerr paratë nga kontributet, po i hoqëm këto me çfarë do të mbetet pastaj. Në aspektin e instrumentave të mbrojtjes jemi të qartë çdo bëjmë, ndërsa këto kërkesa me bërjen rrafsh të arkës së shtetit se shihemi nesër janë propozime janë të kohës së Sudes, por ne nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vebiu”, tha Rama
Kryeministri Edi Rama foli edhe në lidhje me çmimin e naftës në vend ku tha se Shqipëria prodhon naftë të rëndë e cila shitet për produktet industriale dhe jo për makina. Kreu i qeverisë tha nga ana tjetër është se taksa e karbonit është aty dhe do të rri aty pasi me të ardhurat do të mbështesim pensionistët.
‘Çmimi naftës ka shkuar aty nuk mban më!! Si nuk mban më kur ka mbajtur më shumë në 2013?! Unë them çmimi në benzinatë, se vendos shteti. Nafta dhe benzina në 2013 kanë qenë më të shtrenjta. Çmimi i naftës sot është më i ulët seç ishte. Taksa e karbonit është aty dhe do të rri aty, sepse do të mbështeten pensionistët. Kush ndotë më shumë do të paguajë më shumë. Çmimi është sot më pak seç ishte. Kemi të bëjmë me një çmim që është më i lirë seç ishte.
Duhet të bëjmë krahasime. Këtu flasim për një sektor privat. Thonë disa Shqipëria prodhon naftë, e para Shqipëria nuk prodhon mjaftueshmërisht naftë, është naftë e rëndë ajo që prodhon e cila shitet jashtë sepse prodhuesit janë privat si në gjithë botën. Shitet për nën produkte industriale. Nuk shkon jashtë për të ushqyer makina. Shqipëria importon 600 mijë ton naftë, subjektet private e importojnë.’- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se me ndërtimin e Skavicës do të bëhet e mundur që rezervat e ujerave të mbahen në këtë HEC dhe të shiten me një çmim të më shtrenjtë. Ndërsa në lidhje me uljen e TVSh deri në 20% për çmimin e energjisë për konsumatorët, Rama tha se nuk do të ndryshonte asgjë.
“Ajo s’doni të kuptoni dhe në këtë rast ju që jeni midis nesh dhe publikut, pasi qytetarët janë në një tjetër pozicion dhe janë në të drejtën e tyre në kushtet kur kanë ankthin që mos të dëgjojnë argumentet. Energjia shitet lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët. Si rezultat i faktit se ne nuk e mbajmë dot, se për ndryshe duhet të përmbysim dynjanë. Se për çfarë arsye do e shisnim? Për ça arsye po e ndërtojmë Skavicën. Ajo do të na japë mundësinë e prurjet mos t’i derdhim, por t’i mbajmë rezervë. Nëse do të kemi atë, do të bëjmë një lojë tjetër, që do të kemi fuqinë që të diktojmë ne se kur dalin në treg për të shitur, dhe jo pamundësia për ta mbajtur. O do e derdhim, ose do e shesim. Skavica që ka filluar tani nga puna dhe do të ndërtohet brenda këtij mandati, me ndihmën e Zotit, se ndodhin gjëra që janë rrugës, do të na japë mundësi që të ruajmë rezerva. Ujë mund të kesh, por po nuk pate ku ta rezervosh, ça do bësh? Do rrish në dush gjithë ditën apo do e lësh që të ikë. S’ka prova që këto ulje sjellin benefite te konsumatori”, tha Rama.