DURRËS– Sërish drogë në Portin e Durrësit dhe sërish është e njëjta kompani, “Alba Exotic Fruit“. Edhe pse menaxheri i saj Barjon Gumeni është në burg, ndërsa administratori i firmës Eduart Dauti, është në kërkim, trafiku i drogës ka vijuar, ku vetëm sot janë kapur 10 kilogramë e 185 gramë lëndë. Në dy nga konteinerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, u gjetën 10 kilogramë e 185 gramë kokainë, e cila nga sa mësohet ishte fshehur në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë, një skemë e përdorur edhe më herët nga “Alba Exotic Fruit”. Për këtë sasi droge të kapur sot është vënë në pranga administratori i ri i kësaj firme, Ermal Arapi.
Kjo kapje për herë të gjashtë të kësaj sasie të kokainës përbën një skandal edhe për institucionet ligjzbatuese që nuk marrin masa me bllokim të aktivitetit të kompanisë. Një kompani e cila çdo një muaj i vjen bashkë me bananet edhe kokaina si ka mundësi që vijon normalisht punën. Kompania e cila menaxherin e ka në burg, një administrator në arrati, dhe nga sot një tjetër administrator në burg, kush e porosit sasinë e drogës? E gjithë kjo histori ka shumë të paqarta dhe më e paqartë është pse SPAK nuk e sekuestron kompaninë?
“Port, Durrës/ Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”. Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme. Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut”, njofton Policia.