Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë tha se është parashikuar që të ardhurat e përgjithshme në vitin 2022 të jenë 536.8 miliardë lekë. Ministrja theksoi se të ardhurat do të rriten me 7.8% në krahasim me vitin 2021, ndërsa do të mblidhen nga tatimet dhe doganat vlera e 306.5 miliardë lekëve. Sakaq, Ibrahimaj foli edhe për të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, që do të jetë 1.9 miliardë lekë më shumë se ky vit. Në këtë mbledhje u diskutua edhe për prodhimin nga fermrët dhe faturat që pritet në mënyrë abuzuese, pasi ato nuk e justifikojnë prodhimin.
Sakaq, mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u shoqërua me debate të forta. Erion Braçe tha se fabrikat e qumështit janë në llum fiskal. Ai tha se kur numri i lopëve bie, fabrikat e qumështit kanë ‘prodhuar’ më shumë ndërsa u shpreh se nuk e di, se cila është magjia që e bën të mundur këtë gjë përveç se fatura. Ai tha se janë prerë fatura për atë që ata kanë humbur ndërsa shtoi se personalizimi i politikës fiskale është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhi prodhimit.
“Përjashtimet duhet të hiqen, sepse sjellin abuzime. Ai 6% nuk ka shkuar tek fermeri dhe atë vlerë do ja kalojmë Ministrisë së Bujqësisë për të bërë politika për zhvillimin e sektorit bujqësor. Sa i takon qumështit vetëm 11% të prodhuar në vend vjen i përpunuar kjo tregon se ka informalitet të lartë në këtë sektor.”-tha Ibrahimaj.
“Abuzimi me faturat që nuk justifikon prodhimin, vjen se duan të mbulojnë humbjet e kësaj skeme. Në momentin që skema ishte e ekuilibruar s’kishte nevojë të priteshin fatura ekstra. Çekuilibrimi i skemës i ka bërë ata edhe më të paligjshëm. Sa kohë numri i bagëtive ka rënë, duhet të reflektonte edhe rënien e prodhimit të qumështit. Ose e kanë të gjithën me qumësht pluhur ose i gjithi është faturë. Ata nuk kanë interes të prodhojnë në vend. Pse s’doni ta kuptoni që keni bërë gabim para 3 vitesh dhe tani dua ta rishikoj, mos e rishikoni me ata shkoni deri tek bariu e deri tek industrialisti më i madh në vend. Ata abuzojnë troç fare, do humbim më shumë bagëti jepni lekë sa të doni ju. Subvencionet në bujqësi nuk arrijnë tek të gjithë do bëj një serë që kushton 100 milionë lekë, ndërsa kjo vlerë mund të ndahet tek 100 fermerë.”-tha Braçe.
Erion Braçe bëri 4 propozime për paketën fiskale. “TVSH për shitjen e banesave, mos taksim të asnjë page deri ne 40 mijë lekë, akcizë për birrën, dhe akcizë për pijet me gaz.”-tha Braçe.
Ndërsa deputeti i PD, Arbi Agalliu ngriti si shqetësim tatimin mbi të ardhurat pasi intelektualët, përfshirë këtu mjekët, pedagogët e infermierët, po largohen nga vendi. Duke ulur tatimin mbi të ardhurat, Agalliu tha se ndikon në ngritjen e jetës së qytetarëve pa ikur nga vendi.
“Në statistikat që kemi, më shumë se të papunët po kërkojnë të largohen mjekët, infermierët. Nuk e shoh me vend që kësaj shtrese t’i faturojmë ngarkesën më të madhe. Merrni parasysh për ta riparë zonja ministre, sepse mundësi për të financuar buxhetin e shtetit do të gjenden plot.”-tha Agalliu.