TIRANË– Pas debateve të nxehta dhe akuzave të forta, rreth orës 21.25 Lulzim Basha fitoi betejën në kryesinë e Partisë Demokratike duyke mbledhur 26 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenime për mbledhjen e Kuvendit me datë 18 dhjetor dhe jo me datë 11 si kërkonte grupi i Sali Berishës. Ndërkohë akuza të forta të kreut të PD-së Lulzim Basha ndaj Sali Berishës dhe organizatorëve të tjerë të Kuvendit të 11 dhjetorit. Ai shprehet drejtpërdrejtë se të gjithë e dinë në Elbasan se Suel Çela, kreu i një bande famëkeqe dhe Aqif Rakipi, janë “futur me kokë” në mbledhjen e firmave për Kuvendi e 11 dhjetorit.
“Tani, që Aqif Rakipi është futur me koke në këtë proces, e ka marre vesh gjithë Elbasani. A është futur Suel Çela? Po është futur! Dhe jam i bindur se është me porosi të Edi Ramës dhe jo të Sali Berishës. Po çfarë mund të beje një 20 e ca vjeçar 4 ore nën presionin e Suel Celës përveç të firmosë? Është turpi i kësaj partie të rrije nën mëshirë te Suel Celës, Aqif Rakipit, Tom Doshi dhe Xhelal Rrajës”, mësohet të ketë thënë Basha.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha duket se ka një zgjidhje për ta ‘shpëtuar’ Sali Berishën nga sikleti ku e ka futur veten me mbledhjen e firmave. Sot kryedemokrati nga mbledhja e Kryesisë ka vendosur që të thërrasë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 18 dhjetor, fiks një javë nga data që ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha, 11 dhjetor, që përkon edhe me themelimin e vetë partisë. Numri një i demokratëve, ka zgjedhur që t’i përgjigjet akuzave të ish-kryeministri në të njëjtën monedhë. Në një kohë kur Sali Berisha e cilëson si “peng të Ramës”, Basha hedh akuza të forta duke thënë se Sali Berisha po bashkëpunon me Aqif Rakipin, Suel Çelën, Rrahman Rrajën dhe Tom Doshin, emra që PD-ja i ka sulmuar si të korruptuar e të lidhur me krimin.
“Cfare pune ka me PD, por nëse doni edhe me Sali Berishën: Qifja, Suel Çela, Rrahman Rraja, Tom Doshi Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo perplasje per te mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë. U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës per te percare PD dhe zgjatur jeten politike të Edi Ramës. Kemi sakrifikuar shume per te mos e bere pis PD. Per ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. Ska për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër”, mësohet të ketë thënë Basha.
Lëvizja e Berishës ka trazuar ujërat në Partinë Demokratike e për të shmangur që kjo situatë të përsëritet sërish, Basha ka zgjedhur që të marrë masa e për këtë ka propozuar edhe ndryshime në statut. Report Tv me gazetaren Danjela Maloku ka zbardhur të gjitha pikat e rendit të ditës të mbledhjes së Kuvendit të PD në 18 dhjetor, ku mes të tjerave propozohen ndryshime për të ndëshkuar lëvizje si të Sali Berishës, që për numrin një të demokratëve nuk po bëjnë gjë tjetër veç se po dëmtojnë partinë. “Synohet disiplinimi i strukturave”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhje.
“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.”- thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.
Tashmë demokratët janë vënë përpara dy zgjedhjeve, nëse do të shkojnë në Kuvendin Kombëtar e thirrur nga Sali Berisha, apo te ai i thirrur nga Lulzim Basha. Mirëpo kjo dilemë nuk vlen për kryedemokratin, i cili është i bindur se në 11 dhjetor nuk do të ketë Kuvend, të cilin e quan se po thërret një strukturë paralele të partisë, njësoj siç ato që po bën presidenti serb Aleksandër Vuçiç me Kosovën dhe Milorad Dodik me Bosnjen. Basha është shprehur se Sali Berisha edhe mund t’i shpallë luftës Amerikës, por këtë nuk mund ta bëjë në emër të Partisë Demokratike.
“E drejtë e tij, ta bëjë, t’ia kundërvendosë, mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por këtë siç kam thënë prej ditës së parë, nuk e bën dot as në emër të demokratëve dhe as në emër të PD. PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnje”, mësohet të ketë thënë ai.
Kryesia e PD-së, e zgjedhur në fund të muajit gusht, zhvilloi sot mbledhjen e parë, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, mes kërcënimeve të Berishës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë. Kjo mbledhje Kryesie, organi më i rëndësishëm vendimarrës i partisë, vuri edhe njëherë Bashën përballë mbështetësve të Berishës, mes të cilëve edhe Flamur Noka, Edi Paloka e Belind Këlliçi, të cilët janë pjesë e këtij organi, e që nuk kanë munguar debatet. Kjo mbledhje zhvillohet në kulmin e debateve në PD, ku Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë mbledhur 4200 firma të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të cilat i kanë depozituar në një kasafortë që e mban kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Ndërsa PD zyrtare pretendon se firmat nuk janë mbledhur, dhe kjo sipas tyre vërtetohet me faktin që nuk lejohet verifikimi i tyre.