FIER– Një ngjarje e rëndë, makabër, është regjistruar në Fier, ku një 38-vjeçar ka rrëmbyer fëmijën e fqinjit mesditën e sotme, e ka vrarë dhe e ka groposur në oborrin e shtëpisë e tij. Fëmija, me emrin Mateo Vellasia është denoncuar i zhdukur nga nëna e 8-vjeçarit Florida rreth orës 15:30, e ndërsa trupi i pajetë është gjetur vetëm pak orë më vonë, i mbuluar me baltë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Greçalli, e teksa autori i kapur është identifikuar Klodian Çalamani, një person i dënuar më parë për një tjetër pengmarrje, i cili e ka pranuar në Polici krimin e bërë ditën e sotme.
Policia kishte marrë informacion se 38-vjeçari ishte personi i fundit që kishte pasur kontakte të të miturin dhe në momentin që efektivët i kanë shkuar në banesë i riu është parë i shqetësuar. Kështu që është shoqëruar nga Policia dhe gjatë marrjes në pyetje është dorëzuar dhe ka pranuar që fëmijën e kishte vrarë ai. Trupi i pajetë i 8-vjeçarit, i identifikuar si Mateo Vellasia u gjet i mbuluar me baltë, e ndërsa ka dy goditje pas koke!
Grupi hetimor ka nisur hetimet nëse i riu ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtor, teksa fqinjët e autorin e kanë përshkruar si një njeri problematik në lagje.
Nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Banesa e të riut është rrethuar nga shiritat e policisë ‘skemë krimi’.
“Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë. Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj”, njofton Policia.
Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Aso kohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal.
Lajm në përditësim