Një raport i ri i UN Women ka theksuar ndikimin e COVID-19 në sigurinë e grave në shtëpi dhe në hapësira publike.
Pothuajse gjysma e grave raportuan se kanë përjetuar një formë dhune që nga fillimi i pandemisë COVID-19, sipas raportit. Dhuna ndaj grave gjatë COVID-19, bazohet mbi të dhënat e anketës nga 13 vende.
Rreth një e katërta e grave ndiheshin më pak të sigurta në shtëpi, ndërkohë që konflikti ekzistues u rrit brenda familjeve që nga fillimi i pandemisë, sipas raportit, të publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila bie në 25 nëntor (sot).
Kur gratë u pyetën pse ndiheshin të pasigurta në shtëpi, ato përmendën abuzimin fizik si një nga arsyet (21 përqind). Disa gra në mënyrë specifike raportuan se ishin lënduar nga anëtarët e tjerë të familjes (21 përqind) ose se gra të tjera në familje po lëndoheshin (19 përqind).
Faktorët e stresit socio-ekonomik si presioni financiar, papunësia, pasiguria ushqimore dhe marrëdhëniet e tensionuara familjare u dalluan se kishin një ndikim të rëndësishëm jo vetëm në përvojat e sigurisë (ose dhunës), por edhe në mirëqenien e grave në përgjithësi.
“Dhuna kundër grave është një krizë ekzistuese globale që lulëzon pas krizave të tjera. Konflikti, fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, pasiguria ushqimore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, të gjitha kontribuojnë që gratë dhe vajzat të jetojnë me një ndjenjë rreziku, madje edhe në shtëpitë e tyre, lagjet, apo komunitetet”, tha në një deklaratë për shtyp Drejtoresha Ekzekutive e UN Women, Sima Bahous. “Pandemia COVID-19, e cila kërkoi izolim dhe distancim shoqëror, mundësoi një pandemi të dytë, në hije të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ku ato shpesh gjendeshin në izolim me abuzuesit e tyre. Të dhënat tona të reja nënvizojnë urgjencën e përpjekjeve të bashkërenduara për t’i dhënë fund kësaj .”