Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë vijon të denoncojë dhe të padisë në prokurori raste të rënda të korrupsionit në institucione. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja doli sot në një deklaratë për mediat ku bëri me dije se janë çuar për procedim penal 3 raste flagrante korrupsioni në Kadastrën e Durrësit. Të treja rastet kishin të bënin me mosrespektim të procedurave, po rasti më flagrant ishte ai kur një qytetari iu dha legalizimi pa bërë ende dokumentet.
“Dua t’ju siguroj që kemi në rrugën e duhur. Unë sot dua ta nis me një falënderim për punën e Njësisë Antikorrupsion por edhe për bashkëpunimin me prokurorinë. Të gjitha rastet e denoncuara nga ne janë regjistruar si vepra penale. Për rastin e Fierit ku ne denoncuam korrupsionin në AKU, gjykata e ka lënë njërin në burg ndër tjetri ‘arrest në shtëpi’. Dua të ndaj me ju disa raste të reja. E nisim me kadastrën, që është edhe objekti i përditshëm dhe i drejtpërdrejtë i punës sonë ku kemi rastet më të shumta të referuara.
Në Kadastrën e Durrësit ka raste që po trajtohen. 2 rastet e para kanë të bëjnë me lejë legalizimi në kundërshtimi me ligjin. Nuk respektohen procedurat. I treti është flagrant. Është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe më pas janë bërë proceduarat. Data e dhënies së lejes është më parë se të bëheshin dokumentet. Është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit dhe procedurat”, tha ai.
Manja denoncoi edhe një rast në Korçë, ku një punonjës i doganës u punësua pasi kishte falsifikuar dokumentet e shkollës. Manja tha se në hetim është vënë edhe noteri.
“Rasti tjetër ka të bëjë me doganën e Korçës. Një nëpunës është bërë pjesë përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Përveç doganierit ne kemi denoncuar edhe noterin, për të cilin kemi kërkuar edhe hetimin disiplinor. Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorinë e DSHTRR Tiranë, që ka të bëjë me ryshfetin direkt në sportel”, tha Manja.
Manja në konferencë evidentoi edhe një problem të madh sipas tij. Ai tha se janë disa rastet kur është bërë zgjatja apo rinovimi i lejeve të skaduara të ndërtimit nga Gjykatat Administrative apo Bashkitë, sidomos atu bregdetare. Sipas Manjës, nuk mund të rinovohet një leje e dhënë në vitin 2005, për shkak se kanë ndryshuar kushtet e kontratës e planet urbanistike. Manja paralajmëroi se tashmë është ngritur një strukturë që po heton këto raste dhe se përgjegjësit do të shkojnë para drejtësisë.
Këshilli i Ministrave vendosi më 20 tetor krijimin e një drejtoria antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, ku do të shërbej për luftimin e korrupsionit në administratën publike. Kjo drejtori do të ketë një rrjet koordinatorësh në të gjithë vendim që do të monitorojnë 47 institucione pikërisht për të luftuar korrupsionin në administratën publike. Koordinatorët anti-korrupsion fillojnë hetimin e një rasti korrupsioni apo veprimtarie arbitrare kryesisht ose bazuar në informacione të ndryshme, ankesa apo denoncime.