TIRANË- Prej ditësh përfaqësuesit e degëve të Partisë Demokratike që i janë bashkuar foltores së Sali Berishës kanë dalë para mediave dhe kanë publikuar emrat e delegatëve të cilët sipas tyre kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit, i thirrur nga ish-Kryeministri.
Sot ka qenë radha e Qarku të Fierit, emrat e të cilëve janë lexuar nga Luan Baçi, i cili i është rreshtuar ‘Foltores’.
Baçi ka thënë se në degën e Fierit si më e madhja kanë firmosur plot 88.6 përqind, ndërkohë që sipas tij FRPD dhe LDG kanë firmosur në masën 100 përqind. Luan Baçi akuzoi gjithashtu strukturat e PD se në Kuvendin e datës 17 korrik 2021, delegatët e degës së Fierit ishin 640 dhe ku numër sipas tij është fryrë qëllimisht.
“Me kërkesë të Gazment Bardhit janë futur në listën e delegatëve edhe 220 sekretarë seksionesh për shkak të frikës që kishin se Pallati i Kongresit nuk do të mbushej me delegatë,” tha Baçi. Sipas tij, dega e Fierit është e mirëorganizuar dhe shtoi se mandati i delegatëve është 4-vjeçar dhe duhet të duhet të vazhdojë.
Baçi tha se nga PD në qendër deklarojnë se janë 358. Por edhe me këtë numër delegatësh, sërish kanë firmosur 88.6 përqind.
“Kemi përgatitur mandatet për 358 delegatë. Nga këta, 317 kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit më 11 dhjetor me një përqindje prej 88.6 përqind. Forumi rinor ka firmosur 100 përqind dhe Lidhja Demokratike e Gruas ka firmosur prej 100 përqind,” tha Baçi.
“Dega e Roskovecit ka 52 delegatë, kanë firmosur 31 delegatë ose 60 përqind. Dega e Patosit ka 82 delegatë, kanë firmosur 57 ose 62 përqind e tyre. Dega e Mallastrës kanë firmosur 38 përqind e tyre, pra nga 72, firmosën 30 delegatë” shtoi Baçi. Më pas përfaqësuesit e degëve lexuan emrat.