Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nanon ka mbledhur ditën e sotme drejtuesit e 12 qarqeve lidhur me ngjarjet kriminale në vend dhe garantimin e sigurisë. Siguria, kriminaliteti dhe lufta ndaj kultivimit të drogës janë fokusi i takimit, ku drejtorët e qarqeve do të raportojnë për punën e tyre të bërë gjatë viti të kaluar, por do të jepen edhe udhëzimet e duhura nga kryepolici lidhur me garantimin e jetës së qytetarëve por dhe kapjen e autorëve të atentateve të fundit të ndodhura në vend, që kanë mbetur të pazbardhura. Mbledhja ka nisur që në orën 10.00 dhe është takimi i parë i zhvilluar për 2022 .
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano i ka paralajmëruar drejtuesit e departamenteve dhe drejtorët e qarqeve se ikin nga puna nëse s’kanë rezultate konkrete në drejtim të përmirësimit të menjëhershëm të parametrave të rendit e sigurisë.
Fokus i diskutimi ishte marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Gjithashtu në bisedë është diskutuar thellimi i hetimeve dhe bashkëpunimi me institucione të tjera ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tema të tjera diskutimi kanë qenë:
-Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
-Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.
-Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.
Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masve për t’i zgjidhur ato.
Më 4 janar u shënua dhe viktima e parë e një atentati për 2022, ku humbin jetën Erion Çela nga breshëria e kallashnikovit dhe u plagosën 4 të tjerë, gjatë kohës që po konsumonin kafe në një lokal në “Don Bosko”. Ndërsa më 3 janar në spitalin e Lezhës u shfaq me 3 plagë plumbi Vinçens Piroli, i cili tha se u plagos në Shkodër. Piroli dyshohet se është vrasës me pagesë, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Ulqin të Malit të Zi.
Edhe 2021 nuk u mbyll i qetë nga kriminelët, ku një kamion me 119 kg kokainë u kap në Tiranë në arkat me banane. Është mister fakti se si është e mundur që skaneri s’ka kuptuar asgjë edhe pse brenda në kamion ishin 100 pako kokainë.