Sulmi i dhunshëm ndaj selisë së Partisë Demokratike, nga një grup me vare, leva, shkallë, molotov etj., ka shënuar edhe braktisjen e madhe të Sali Berishës nga demokratët, grupi i deputetëve të Foltores dhe figura të tjera të rreshtuara krah tij pas 9 shtatorit 2021, kur Lulzim Basha e largoi nga partia.
Sali Berisha kishte deklaruar se 44 mijë demokratët që kishin shkarkuar sipas tij Lulzim Bashën në referendumin e 18 dhjetorit 2021, do të rrethonin sot selinë e PD-së për të zbatuar vendimin e marrë prej tyre. Në fakt, sot u mblodhën para selisë së PD-së më pak se sa 1 mijë persona, duke thelluar më të tej dyshimet për vërtetësinë e referendumit të 18 dhjetorit, një proces gjithsesi pa asnjë bazë statutore.
Por, Sali Berisha u braktis sot edhe nga grupit i deputetëve të Foltores. Nuk janë parë sot në dhunën e organizuar kundër selisë së PD-së deputetët Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Tritan Shehu, Bujar Leskaj dhe Edmond Spaho. Mbetet për t’u parë nëse kemi të bëjmë me një tërheqje taktike për të evituar edhe pasojat ligjore apo me një fillimin e një distancimi nga Sali Berisha. Në hije ka qëndruar edhe Edi Paloka, një nga mbështetësit kryesor të Sali Berishës, të cilin Basha e shkarkoi si kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Nëse Berisha ishte protagonist dhe udhëheqës në terren i veprimeve të dhunshme, grupi i deputetëve qëndroi i distancuar.
Pranë Sali Berishës është shfaqur vetëm i përhershmi, Flamur Noka. Sali Berisha u braktis sot edhe nga Bujar Nishani dhe Jozefina Topalli, dy kundërshtarët më të egër të Lulzim Bashës, dhe rrjedhimisht mbështetës të lëvizjes së Berishës. Tentativa e sotme për të marrë selinë e PD-së me dhunë është goditja e dytë për Sali Berishën pas protestës së 20 dhjetorit para Kryeministrisë, kundër vizitës së Vuçiç, ku morën pjesë vetëm disa qindra vetë.