DIBËR- Gjatë natës së mbrëmshme termometri në qytetin e Peshkopisë ka shënuar vlerën më të ulët -16 gradë nën zero, ndërsa në zonat e thella temperaturat kanë shënuar edhe më shumë. Ngricat dhe akulli në rrugë ka bërë që të shtohen problemet. Zonat e thella të Lurës, Selishtës, Reçit, Luznisë, Sllovës, dhe Kalasë së Dodës janë të izoluara, dhe prej 72 orësh një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike.
Pa energji elektrike vijojnë prej 72 orësh edhe 3 Njësi Administrative në Bulqizë, Krasta, Ostreni, Trebishti dhe disa fshatra në Tërnovë. Një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm, për shkak se tubacionet kanë ngrirë si pasojë e temperaturave shumë të ulëta.
Aksi Peshkopi – Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në baypasin e Murrizit gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit.
Aksi Ura e Çerenecit – Librazhd kalohet me zinxhirë.
Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies.
Aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës kalimi pjesërisht me zinxhirë.
Burime nga spitali Rajonal bëjnë me dije se nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore nga zonat e thella.